Banka ProCredit Kosovë dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi

4/13/2022

Banka ProCredit Kosovë dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi

  • Linjë e re kreditimi 20 milionë euro nga BERZH-i për Bankën ProCredit Bank Kosovë
  • Financim i ri për investime të NVM-ve në teknologji të qëndrueshme dhe të gjelbra 
  • Banka do të ofrojë 5 milionë euro të tjera në kuadër të Programit të vet për Lehtësimin e Tregtisë

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) mundëson një linjë të re kreditimi për Bankën ProCredit Kosovë. Kjo linjë u jep ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM) në Kosovë mundësi për rigjallërimin e bizneseve të tyre pas ndërprerjeve të shkaktuara nga pandemia Covid-19.

Banka ProCredit Kosovë do ta shfrytëzojë shumën 20 milionë euro për t’u dhënë kredi bizneseve të vogla dhe të mesme që të bëjë të mundur realizimin e investimeve në teknologji të gjelbra me performancë më të mirë, si dhe përmirësimin e standardeve dhe proceseve të tyre të punës. Këto investime nga NMV-të kosovare duhet të jenë në pajtueshmëri me standardet e Bashkimit Evropian dhe ato ndërkombëtare, për të arritur konkurrueshmëri më të lartë në tregun vendor dhe të jashtëm. 

NVM-të do të përfitojnë edhe stimuj në formë granti me vlerë deri në 15 për qind të shumës së kredisë, që i bën investimet e tyre më të përballueshme. Grantet do të financohen nga Norvegjia, Luksemburgu dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pritet të marrin pjesë edhe donatorë të tjerë. 

Në kuadër të Programit të vet për Lehtësimin e Tregtisë (PLT) BERZH-i i ofron Bankës Procredit Kosovë edhe deri në 5 milionë euro të tjera për t’i mbështetur NVM-të lokale të rrisin tregtinë e jashtme dhe integrimin në tregjet ndërkombëtare. Ky instrument do të ndihmojë për adresimin e rritjes së kërkesës për financim të tregtisë që ka ardhur si rezultat i ndërprerjeve të zinxhirit global të furnizimit, të shkaktuara nga pandemia Covid-19. 

Presidentja e BERZH-it, Odile Renaud-Basso, e cila ishte për vizitë zyrtare në Kosovë dhe nënshkroi marrëveshjen me Bankën ProCredit, tha: “Jemi shumë të kënaqur që sërish, me Bankën ProCredit Kosovë, mund të ofrojmë financime të reja për NVM-të lokale. Linja e kreditimit do të lehtësojë qasjen në financim të strukturuar mirë për bizneset e vogla, duke u ndihmuar të rimëkëmben nga efektet negative të pandemisë Covid-19 dhe të investojnë në teknologji moderne për t’u bërë më të qëndrueshëm”.

Eriola Bibolli, Menaxhere e Përgjithshme e Bankës ProCredit Kosovë, tha: “Nënshkrimi i kontratës së sotme për ofrimin e financimit të ri për NVM-të lokale pasqyron përkushtimin e përbashkët dhe parimet e njëjta të të dy institucioneve në lidhje me promovimin dhe mbështetjen e investimeve për rritje të qëndrueshme, duke e rritur konkurrueshmërinë e klientëve tanë në tregjet lokale dhe ndërkombëtare”.

Pandemia Covid-19 e ka goditur rëndë sektorin e NVM-ve në Kosovë, duke penguar rritjen dhe planet për investime. Duke qenë ndërmarrje të vogla dhe duke patur qasje të kufizuar në financim, NVM-të ishin më pak të afta të përballojnë me fleksibilitet kostot shtesë të shkaktuara gjatë pandemisë, ndryshimet në proceset e punës, fuqinë punëtore të pashfrytëzuar etj. Kjo i shtyu NVM-të që prioritetet e tyre në investime për rritje të qëndrueshme t’i zhvendosnin drejt mbijetesës dhe mbrojtjes.

Linja e kreditimit është pjesë e Programit të ri të BERZH-it për Rigjallërim të NVM-ve që mbështet rimëkëmbjen e kompanive të vogla nga ngadalësimi që u shkaktoi pandemia. Banka ProCredit Kosovë është banka e parë në vend që i bashkohet këtij programi, i cili do t’i inkurajojë NVM-të të shkojnë përtej metodave të zakonshme të biznesit dhe të investojnë në teknologji moderne dhe të qëndrueshme. Rreth 70 përqind e financimit të programit do të alokohet për investime në kursim të energjisë dhe teknologji të gjelbra, ndërsa pjesa e mbetur do të mbështesë investime për automatizim, rritje të produktivitetit, cilësisë së produktit dhe sigurisë. 

Banka ProCredit Kosovë është ofrues kyç i financimit për NVM-të në Kosovë, që vë në zbatim praktika bankare të qëndrueshme dhe të orientuara drejt impaktit. Kjo bankë është në pronësi të ProCredit Holding AG & Co KGaA, kompania mëmë e Grupit ProCredit, që është i orientuar drejt zhvillimit dhe përbëhet nga banka komerciale për NVM-të që në fokus të veprimtarisë kanë Evropën Juglindore dhe Lindore.

Që nga fillimi i veprimtarisë në Kosovë në vitin 2012, BERZH-i ka investuar 585 milionë euro. Prioritetet strategjike të Bankës në Kosovë janë promovimi i ekonomisë së gjelbër, mbështetja e zhvillimit të sektorit privat konkurrues, si dhe nxitja e integrimit rajonal.