Viti i digjitalizimit

10/1/2018

Ilir Aliu, drejtor i përgjithshëm i “ProCredit Bank”, thotë se fundi i 2018-s në masë të madhe mund të konsiderohet si viti i implementimit të Bankimit Direkt/Digjital

Ilir Aliu, drejtor i përgjithshëm i “ProCredit Bank”, thotë se fundi i 2018-s në masë të madhe mund të konsiderohet si viti i implementimit të Bankimit Direkt/Digjital

Viti 2018 ishte një vit i rëndësishëm në përcaktimin e rolit dhe të pozicionimit të bankës suaj në treg drejt konceptit të “Bankimit Direkt”. A mund të na shpjegoni modelin tuaj të biznesit dhe konceptin e Bankimit Direkt?

Aliu: Siç edhe jeni në dijeni viteve të fundit banka “ProCredit” ka kaluar në një proces të modernizimit të proceseve të brendshme. Në të gjitha vendet ku banka “ProCredit” operon ka rritur fokusin te klientët me më shumë potencial për zhvillim dhe kjo ka nënkuptuar thjeshtësimin e veprimeve të brendshme në të gjitha nivelet. Kemi ristrukturuar rrjetin e degëve tona dhe kemi zgjeruar mundësitë e bankimit përmes kanaleve moderne dhe digjitale. Tani jam shumë krenar që të konfirmoj se fundi i 2018-s në masë të madhe mund të konsiderohet si viti i implementimit të BankimitDirekt/Digjital. Bankimi Direkt – nënkupton shërbimin e plotë të klientëve, duke i mundësuar qasje direkte në llogaritë e tyre pa pasur nevojë për punonjësin e bankës si ndërmjetës. Kjo gjë është mundësuar nga avancimet në teknologji dhe nga mundësitë e shtuara për klientët që të vetinformohen dhe të marrin vendime të drejta për buxhetin e tyre personal dhe të familjes. Po e specifikoj këtu buxhetin personal, ngase jam i mendimit që kur bëhet fjalë për bizneset dialogu me këshilltarët financiarë të bankës është i pazëvendësueshëm.

A do të thotë kjo që Bankimi Direkt i referohet personave fizikë, çfarë është qëndrimi juaj në shërbimin e bizneseve?

Aliu: Plotësisht e saktë, Bankimi Direkt i referohet shërbimit ndaj individëve, duke përfshirë këtu edhe pronarët e bizneseve. Jemi të mendimit që në kohën kur informatat mbi mundësitë e bankimit janë të bollshme dhe kur flasim për segmentin e klientëve që përdor teknologjinë informative, punonjësi i bankës paraqet më shumë pengesë sesa mbështetje për individin. Çdo klient duhet të ketë të qartë për mundësitë e tij të kursimit dhe të shpenzimeve; ka mundësi të mira informimi përmes platformës digjitale dhe për vendimet e tyre financiare klientët duhet vlerësojnë më shumë dialogun me familjarët sesa me punonjësin e bankës në mënyrë që të mos i ekspozojnë informacionet mbi jetën dhe nevojat e vet individit. Për më shumë është edhe më praktike të marrësh shërbimin në kohën dhe vendin që zgjedh vetë, pa imponime nga ana e bankës.

Pse mendoni që bizneset nuk do të vlerësonin lirinë e njëjtë, cili është roli i këshilltarit të bizneseve në rastin e tyre?

Aliu: Në rastin e bizneseve, për shkak të sasisë së informatave që proceson dhe ka në posedim, banka shpesh është më mirë e informuar për trendët zhvillimore të industrive të ndryshme, ndikimin e investimeve, praktikat më të mira të pagesave e të ngjashme, informata këto që ndihmojnë klientin të marrë vendime më të zgjuara për financimin e aktivitetit të tij. Si pikë e dytë, struktura e financave të kompanive është më komplekse nga një buxhet familjar dhe marrja e një opinioni nga eksperti financiar është mbështetje e madhe për vendimmarrësit në biznes. Thënë thjesht, bizneset e shikojnë bankën si partner. Gjithmonë po flas për financimin dhe menaxhimin e likuiditetit këtu, ngase kur bëhet fjalë për transaksionet e pagesave kuptohet që bizneset veprojnë të pavarura, pa nevojë për këshillë ose mbështetje nga banka. Nëse do ta definoja profilin e bankës “ProCredit” në një fjali do të thosha: “‘Banka ProCredit’ është bankë partnere (hausebank) për bizneset e vogla dhe të mesme dhe bankë direkte për individët privatë”.

Çfarë nënkupton banka partnere për bizneset (hausebank)?

Aliu: Që nga themelimi i bankës, banka “ProCredit” duke qenë bankë komerciale zhvillimore ka pasur për synim njohjen dhe financimin e bizneseve private. Në aktivitetin tonë në Kosovë që nga paslufta e deri tani kemi privilegjin të posedojmë informata për zhvillimin e bizneseve private, trendëve në ekonomi dhe zhvillimin e parametrave të ndryshëm financiarë në nivelin e ndërmarrjeve. Me këtë privilegj vjen edhe përgjegjësia, që t’i përdorim këto informata për analiza të mirëfillta financiare, të personalizuara për secilin klientë dhe hyjnë në funksion të përmirësimit të vendimmarrjes në nivel të ndërmarrjeve me të cilat punojmë. Klientët tanë e çmojnë lart këtë qasje, gjë që ka rezultuar në pjesëmarrje prej 23%në kreditimin e sektorit të bizneseve të vogla dhe të mesme. Gjithashtu evidentohet që vendimet të cilat ne dhe bizneset i marrim bashkërisht rezultojnë të jenë të duhurat, duke rezultuar në vetëm 2,4% të kredive joperformuese, thënë thjesht investimet që ne mbështesim janë të suksesshme, e vlefshme kjo si për biznesin huamarrës, edhe për ne si partner në vendimmarrje.

Fokusi ndaj klientëve privatë?

Aliu: Që nga dita e parë e operimit në vitin 2000 banka jonë ka qenë dhe mbetet bankë e kursimeve ose një lloj “Sparkasse” e vendit (që në gjermanisht “Sparkasse” do të thotë Bankë e Kursimeve). Ne operojmë me standarde të larta gjermane që demonstrohet jo vetëm me kualitetin e portofolit, por edhe në avancimin e ofertës sonë për bankim direkt ku sigurohet një autonomi e lartë e klientëve në kursimet e tyre, por edhe në operacionet tjera bankare.

Tutje, banka “ProCredit” për klientët e saj privatë në vazhdimësi ka avancuar shërbimet kreditore, ato hipotekare për shtëpi/banesë sepse jemi të bindur që kreditë për këtë destinim i shtojnë vlerë një familjeje duke siguruar vendbanim, por në të njëjtën kohë kohëzgjatja e kthimit të këtyre kredive imponon kulturë kursimi; Pra dedikohemi që të ndërtojmë relacion afatgjatë me klientët ku në qendër kemi promovimin e kulturës së kursimeve dhe jo promovimin e shërbimeve kreditore konsumuese, që nuk u sjellin produktivitet afatgjatë klientëve dhe janë shërbime me kosto më të shtrenjtë. Me kënaqësi e them që kemi ofertën më të mirë të kredive hipotekare në treg, me kohëzgjatje deri në 20 vjet dhe normë vjetore prej 3.7%. Dua të ritheksoj që në bankën tonë asnjë kredi nuk është me interes dyshifror; pra edhe ato afatshkurtra si mbitërheqja për pagë marrësit që është me normë 9,37%; në të kundërtën në tregun tonë normat e këtij financimi afatshkurtër (si p.sh. mbitërheqja ose kredit-kartela) kanë normë vjetore interesi deri në 24%; nëse kjo përkthehet në vlerë monetare, një limit i mbitërheqjes në shumë 1,000 euro në bankën tonë kushton 90 euro nëse përdoret komplet gjatë vitit, kurse në treg shkon deri në 240 euro; është me rëndësi të theksoj që oferta jonë është ofertë me çmim standard dhe jo pjesë e ndonjë kampanje afatshkurtër.

Në anën tjetër, këtë vit kemi prezantuar një strukturë të re tarifash, për të cilën besojmë që sjell transparencë dhe integrim të plotë të klientëve në botën digjitale të bankimit. Në thelb, klientët paguajnë një tarifë mujore të vetme, e cila mbulon të gjitha transaksionet e tyre gjatë muajit, duke nisur nga kryerja e shërbimeve në bankomate deri te transferimet nacionale.

Si pjesë e integruar e pakos “ProCredit Direkt” klientë e tanë dhe ata potencialë kanë qasje në të gjitha shërbimet kreditore që i ceka më lart, që janë më të avancuarat në treg. Ndërsa, klientët që janë kursimtarë në bankë dhe nuk kanë nevojë për shërbime të shpeshta janë të lirë të zgjedhin shërbimet bazike, të cilat kanë kosto të adaptuar dhe paguajnë për shërbimet individuale.

Cilat janë objektivat strategjike të bankës suaj për 2018-n?

Aliu: Ne do të vazhdojmë që t’i adaptohemi zhvillimeve moderne bankare që është duke lëvizur me shpejtësi. Për klientët privatë do të sjellim ofertat më të mira kreditore, por me fokus që të vazhdojmë të investojmë në promovimin e kulturës së kursimit.

Që nga themelimi i bankës, banka “ProCredit” në vazhdimësi ka promovuar kursimin te personat fizikë dhe investime në asete familjare, siç janë shtëpi banesat ose edhe renovimi i tyre për të ngritur efiçiencën e që rezulton konsum me të vogël të energjisë, rrjedhimisht në faturë më të vogël. Jemi unikë në ketë qasje, model ky i jetesës dhe bankimit gjerman; viteve të fundit në tregun kosovar bankar jemi duke parë një rritje shumë të shpejtë të kredive ose të borxhit të njësive familjare që shkon kryesisht në konsum; që nga viti 2012 duke iu referuar raportit të Bankës Qendrore, kredit për njësit familjare janë rritur për 416 milionë euro ose 77%; pjesëmarrja në kredi të reja të kredive konsumuese është 82%, ndërsa pjesa tjetër është për destinim hipotekar. Kjo ndarje është përcjellë tash e pesë vjet. Në bankën “ProCredit” pjesa kryesore e rritjes së portofolit kreditor dedikuar klientëve privatë vjen nga kreditë hipotekare për shtëpi në shumë prej 37 milionë eurosh që ofrohen me interes njëshifror.

Gjithashtu, do të vazhdojmë tutje në avancimin e shërbimeve të bankimit direkt – si të ardhme të bankimit në Kosovë - jo si një pako produktesh, por më tepër si një mënyrë të të menduarit, një mënyrë jetese. Kemi vendosur një standard të modernizuar të bankimit në Kosovë dhe do të vazhdojmë të avancojmë tutje proceset që sjellin efikasitet dhe fleksibilitet për klientët.