Mbi 6 miliardë euro transaksione bankare

Mbi 6 miliardë euro është vlera e transfereve ndërbankare e realizuar vetëm gjatë periudhës janar - shtator 2016 përderisa në Bankën Qendrore të Kosovës nuk është raportuar asnjë rast i pasigurisë në kryerjen e transaksioneve "online". Gjermania është shteti me të cilin Kosova realizon numrin më të madh të transaksioneve bankare hyrëse dhe dalëse

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) deri më tani nuk ka të evidentuar asnjë rast që është raportuar rreth pasigurisë në kryerjen e transaksioneve bankare "online". Shifrat tregojnë se sektori bankar në Kosovë ka dëshmuar shkallë të lartë të sigurisë. Kurse, shteti me të cilin Kosova ka numrin më të madh të transaksioneve bankare hyrëse dhe dalëse është Gjermania.
Gjatë periudhës janar - nëntor 2016 janë kryer 2,917,800 transfere ndërbankare brenda Kosovës, në vlere totale prej mbi 6 miliardë eurosh.
Kurse numri dhe vlera e transfereve brenda bankës (kur urdhëruesi dhe pranuesi janë klient të së njëjtës bankë) gjatë periudhës janar - nëntor 2016 kap shifrën prej 220,707 transferesh me vlerë prej rreth 2 miliardë eurosh. Në anën tjetër, numri i transfereve ndërkombëtare dalëse (të dërguara) për të njëjtën periudhë gjatë vitit të kaluar është  181,048 me vlerë të transfereve prej mbi 3.1 miliardë euro.

Zëdhënësi i BQK-së, Besnik Kada, ka bërë të ditur se në numrin dhe vlerën e pagesave ndërbankare janë përfshirë: pagesat përmes RTGS-së (pagesa të klientëve me vlerë të madhe, pagesat bank-bank, letrat me vlerë të Qeverisë), pagesat përmes ACH-së (pagesa të klientëve me vlerë të vogël, pagesa përmes modulit masiv, paga/pensione, pagesat përmes modulit 'Kos Giro', pagesa të debitimit direkt).

Kosova me sistem të lartë të sigurisë bankare

"Deri më tani nuk kemi ndonjë rast që është raportuar, i cili mund të shkaktojë pasiguri në kryerjen e transaksioneve 'online'", ka treguar Kada, për të shtuar se bankat dhe institucionet financiare posedojnë politika dhe rregullore të brendshme për trajtimin e dukurive edhe ne caktimin e çmimeve të transaksioneve.
Berat Rukiqi, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës "Hasan Prishtina", thotë se në përgjithësi sektori bankar në Kosovë ka dëshmuar shkallë të lartë të sigurisë, e dëshmuar edhe në vlerësimet e mekanizmave të specializuar ndërkombëtarë.
Sipas tij, matësi më i mirë i sigurisë është besueshmëria e klienteles. "Nëse klientela bankare tregon besueshmëri në operacionet bankare, duke përfshirë edhe transfertat, atëherë konsiderojmë që edhe pjesa e transfereve karakterizohet me siguri. Bankat në Kosovë bashkëpunojë edhe me banka korrespondente në tërë kontinentet dhe deri më tani nuk është raportuar ndonjë problem sigurie", ka thënë Rukiqi.
Sipas Rukiqit, për më shumë çdo vit Kosova shënon ka rritje të transfereve bankare brenda dhe jashtë vendit, ndërkohë që një pjesë e madhe e tyre kryhet përmes shërbimeve elektronike bankare. "Përdorimi në rritje i shërbimeve elektronike bankare është edhe një indikator i besueshmërisë në sigurinë e sistemit bankar në përgjithësi", shtoi ai.
Ndërkaq, sa i përket remitancave, sipas tij, në përgjithësi çdo rritje e qarkullimit të parëse përmes kanaleve formale ndikon në fuqizimin e aktivitetit ekonomik brenda një vendi të caktuar.
"E njëjta situatë është edhe me remitancat që vijnë në Kosovë. Formalizimi i ardhjes së remitancave do të ndikonte pozitivisht në formalizimin e ekonomisë në përgjithësi dhe në vlerësimin real të ndikimit të remitancave në ekonominë e vendit", ka thënë Rukiqi.

Transferet, e sigurta dhe të lira

Banka "ProCredit" në Gjermani është banka e vetme korrespodente për transfertet për tërë grupin e bankave "ProCredit", që siguron që transfertet të kryhen shpejt, me çmime të ulëta dhe në mënyrë efektive.

Zëdhënësja e "Procredit Bankës", Albena Çarkaxhiu, ka bërë të ditur se transfertet ndërkombëtare që i quajnë "ProPay", transferte këto që kryhen përmes bankave të grupit "ProCredit" (Shqipëri, Maqedoni, Bullgari, Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë, Gjeorgji, Gjermani, Rumani, Ukrainë etj.) tarifohen me pagesën fikse prej 2.50 eurosh, pavarësisht shumës së transfertë. "Gjithashtu vlen të theksohet se pagesat ndërkombëtare që urdhërohen përmes platformës e-Banking jashtë rrjetit të bankave 'ProCredit' kanë çmime të favorshme, ku klienti përfiton 0% komision për transfertet ndërkombëtare hyrëse si dhe çmime të ulëta fikse për trasnfertet dalëse", sqaron Çarkaxhiu.

"ProCredit Banka" ka investuar shumë në avancimin e platformës elektronike bankare duke arritur që , 90% e të gjitha pagesave bankare të kryhen përmes bankimit elektronikë.

Zëdhënësja e bankës ka treguar se "ProCredit Banka"  është e angazhuar maksimalisht për të mbrojtur sigurinë e transaksioneve të klientëve të saj, duke përfshirë dhe detajet bankare. "Në këtë drejtim, banka përdor vazhdimisht versionet e fundit të programeve të sigurisë dhe zbaton procedura që mbrojnë transaksionet e klientëve të saj në shërbimet elektronike", ka thënë ajo. Përdorimi i një protokolli të sigurt të transferimit të të dhënave, shtresa të shumëfishta sigurie, përmirësimi dhe përditësimi i vazhdueshëm i aplikacioneve të brendshme, si dhe masave të brendshme të sigurisë, por gjithashtu edhe këshilla të vazhdueshme për klientët rreth sigurisë për mbrojtje të kompjuterëve apo pajisjeve mobile nga viruset apo persona të paautorizuar që do të afektonte sigurinë e transaksioneve "online", janë hapat që i ndërmerr banka "ProCredit" për të ju siguruar klientëve siguri gjatë kryerjeve të transaksioneve "online".

* 2.5 euro tariforen transferet që kryhen përmes bankave të grupit "ProCredit", duke përfshirë këtu Shqipërinë, Maqedoninë, Bullgarinë, Serbinë, Bosnjën dhe Hercegovinë, Gjeorgjinë, Gjermaninë, Rumaninë, Ukrainën, etj.

* 3.1 miliard euro është shuma e përgjithshme e transfereve ndërkombëtare dalëse (të dërguara) që është realizuar gjatë periudhës janar - shtator 2016 në Kosovë.

*Gjermania është shteti me të cilin Kosova ka numrin më të madh të transaksioneve bankare hyrëse dhe dalëse.