Patundshmëritë, "top-sektori" për investime

Mbi 33 për qind e investimeve të huaja direkte gjatë dhjetë vjetëve të fundit janë fokusuar në sektorin e patundshmërive

iBANK

Drejtori i Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë, Besian Mustafa, bën të ditur për "iBANK" se në dekadën e fundit sektori i patundshmërive ka tërhequr shumën më të madhe të investimeve të huaja direkte në vend.
Sipas tij, mbi 1 miliard euro janë investuar në këtë sektor në dhjetë vjetët e fundit apo rreth trefish më shumë investime se që kanë ndodhur në sektorin e industrisë.
Numri një i Agjencisë për Investime pranon se përpos investimeve nga jashtë, kërkesa nga kosovarët për të investuar në patundshmëri është në rritje edhe për shkak se normat e interesit në kreditë hipotekare që lëshohen nga bankat komerciale kanë rënë dukshëm, në raport me vitet paraprake.

iBANK: Kosova ka shënuar progres në të bërit biznes duke u bazuar në raportin e Bankës Botërore, a po reflektohet kjo edhe te investitorët e huaj?

Mustafa: Brenda një periudhe gjashtëvjeçare 2011 - 2017 Kosova ka përmirësuar radhitjen e saj për 57 pozita në Indeksin e të Bërit Biznes të Bankës Botërore nga pozita e 117-të në vitin 2011 në pozitën e 60-të në vitin 2017. Progresi më i theksuar ka qenë tek indikatorët si "Themelimi i Biznesit", ku tanimë Kosova radhitet e 13-ta në botë; "Marrja e kredive" ku Kosova radhitet e 20-ta; "Pagesa e tatimeve" ku Kosova përmirëson radhitjen për 34 pozita nga e 77-ta në vitin 2016 në pozitën 43 në vitin 2017; "Tregtia përtej kufijve" në radhitjen e qoftë nga bankat komerciale të huaja, por edhe nga institucionet mikrofinanciare dhe 51 dhe "Zbatimi i kontratave" ku edhe pse kemi pasur regres për një pozitë, kemi arritur të mbesim vendi i 44-të në botë. Pra, jemi në top-25% e shteteve në botë për nga zbatimi i kontratave afariste. Në indikatorin "Regjistrimi i pronës" radhitemi njëjtë si në vitin 2016 si e 33-ta në botë, por përsëri kjo është një lajm mjaft i mirë kur merren parasysh problemet pronësore dhe kadastrale që kemi pasur si shtet si pasojë e ndryshimeve administrative në këto njëqind vjetët e fundit, të cilat për disa shtete në rajon kanë lënë pasoja të mëdha edhe në ditët e sotme. E tëra kjo reflektohet ngadalë dhe qëndrueshëm në një ambient më atraktiv dhe të qëndrueshëm për të bërë biznes në Kosovë si për kompanitë vendore, ashtu edhe për ato të huaja. Përmirësimet e arritura në ambientin e të bërit biznes nuk reflektojnë në rritje të menjëhershme të investimeve vendore dhe të huaja; kompanitë serioze planifikojnë investimet e tyre kapitale në periudha afatmesme prej tri deri në shtatëvjeçare e në rastin e ndërmarrjeve multinacionale horizonti investiv përshkon edhe periudhat mbi dhjetëvjeçare. Por, përmirësimi i ambientit i të bërit biznes lejon Agjencinë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve KIESA që të intensifikojë promovimin e Kosovës si një vend për të investuar dhe me të cilin mund të bëhet biznes. Këtë jemi duke e arritur përmes materialeve tona promovuese digjitale dhe të shtypura, tri-katër forumeve për investime dhe tregti në vit jashtë Kosovës, si dhe takimeve të shumta G2B që realizojmë në zyrat e KIESA-s me investitorë të huaj të interesuar për projekte konkrete investive në Kosovë.

iBANK: Vitin e kaluar investimet e huaja direkte kanë shënuar rënie në raport me vitet paraprake, pse ndodhi kjo?

Mustafa: Siç thashë edhe më parë, progresi që kemi bërë në përmirësimin e ambientit e të bërit biznes në Kosovë këto vitet e fundit reflektohet në suaza afatmesme disavjeçare. Por, të mos harrojmë edhe sfidat e mëdha që ka kaluar ekonomia globale këto gati 10 vjetët e fundit, kriza socio-politike në Lindjen e Mesme që ka destabilizuar regjionin dhe ka sjellë sfida të mëdha për tërë Evropën si dhe mbi të gjitha lëkundjet dhe problemet politike që kemi hasur këto tri-katër vjetët e fundit në Ballkan dhe në Kosovë. Të gjitha këto e kanë vështirësuar, por jo pamundësuar promovimin e Kosovës si një destinacion për investime të huaja. Njëkohësisht, Qeveria e Republikës së Kosovës përmes dy pakove fiskale po vazhdon të lehtësojë sektorin prodhues në Kosovë duke eliminuar tatimet doganore për shumicën e lëndës së parë që nuk prodhohet në Kosovë, për linjat prodhuese, për pajisjet e TIK-ut, etj. Në këtë mënyrë Kosova po përmirëson dukshëm pozitën e saj konkurruese në sektorin prodhues vis-a-vis shteteve në regjion dhe këto përmirësime pritet të tregojnë rezultate në ngritje të investimeve vendore dhe të huaja gjatë viteve në vijim.

Top-pesë sektorët që tërheqin investime të huaja

iBANK: Cili sektor i ekonomisë ka qenë më atraktivi për investitorët e huaj, duke u bazuar në raportet e deritanishme?

Mustafa: Nëse analizojmë të dhënat statistikore të BQK-së mbi investimet e huaja direkte këto 10 vjetët e fundit 2007 - 2016 konkludojmë që top-pesë sektorët ekonomikë që tërheqin investime të huaja direkte janë: patundshmëria me neto investime prej 1.015,13 milion eurove ose 33,23% të neto investimeve për këtë periudhë, shërbimet financiare me neto investime 510,98 milionë euro ose 16,73%, industria 366.89 milionë euro ose 12,01%, ndërtimi 363.63 milionë euro 11,90% dhe transporti & komunikimi me neto investime prej 274.14 milionë eurosh ose 8,97% të neto investimeve gjatë 2007 - 2016.

Sektori financiar, më i qëndrueshmi në Kosovë

iBANK: A janë bankat komerciale bizneset që po performojnë më së miri në Kosovë, duke u bazuar në fitimet e deklaruara?

Mustafa: Për shkak se sektorët e ndryshëm ekonomikë kanë struktura të ndryshme të të hyrave, shpenzimeve, punësimit, kapitalit, shfrytëzimit të teknologjisë dhe operimit në përgjithësi jogjithnjë mund të bëhet një krahasim i drejtpërdrejtë i performancës financiare të një sektori kundër sektorëve tjerë ekonomikë në vend. Por, megjithatë, sektori financiar në Kosovë mbetet ndër sektorët ekonomikë më të qëndrueshëm financiarisht në Kosovë dhe kjo falë menaxhimit financiar e operativ me pjekuri nga vetë sektori financiar, si dhe krijimi i një ambienti të përshtatshëm rregullator e mbikëqyrës nga ana e Bankës Qendrore të Kosovës.

iBANK: A ka interesim te investitorët e huaj që të investojnë edhe më tutje në sektorin bankar?

Mustafa: Falë stabilitetit dhe profitabilitetit të sektorit financiar këto 10-15 vjetët e fundit Kosova ka arritur të krijojë imazhin e një vendi mjaft atraktiv për tërheqjen e investimeve të huaja direkte në këtë sektor qoftë nga bankat komerciale të huaja, por edhe nga institucionet mikrofinanciare dhe nga institucionet që ofrojnë kredi konsumatore pa kolateral. Me përjashtim të dy bankave, BPB dhe BE, të gjitha bankat në Kosovë janë investime të huaja direkte që në vetvete tregon një indikator të stabilitetit të sektorit financiar këtu. Kohëve të fundit po vërejmë diversifikim në produkte dhe kategori të reja financiare si nga institucionet financiare ekzistuese, si nga ato të interesuara për të hyrë në tregun e Kosovës. Mbi të gjitha, Kosova ka një ndër normat më të ulëta të kredive joperformuese në regjion dhe kjo ndikon në uljen e riskut dhe në ngritjen e tërheqjes së sektorit bankar në Kosovë për investitorët e huaj.

iBANK: Sa po arrijnë bizneset prodhuese në Kosovë të zhvillohen duke u bazuar në financimin që e sigurojnë nga bankat?

Mustafa: Shumica dërrmuese e ndërmarrjeve në Kosovë aktivitet primar e ka tregtinë në një formë apo tjetër dhe kjo natyrisht ka ndikuar që shumica dërrmuese e kreditimit nga sektori financiar të drejtohet tek sektori tregtar. Ndryshimet e fundit në politikat e Qeverisë së Republikës së Kosovës, veçanërisht politikat fiskale të përpiluara nga Ministria e Financave, kanë filluar të ngrenë profilin dhe rëndësinë e sektorit prodhues në Kosovë. Rrjedhimisht, edhe sektori financiar dalëngadalë do të fillojë të drejtojë një përqindje më të madhe të kreditimit të tyre tek ky sektor. Mbi të gjitha, një nga sfidat thelbësore të ndërmarrjeve prodhuese në Kosovë gjithnjë ka qenë mungesa e kolateralit për të siguruar kreditë e tyre - bankat në Kosovë kërkojnë rreth 150% - 300% mbulueshmëri me kolateral për të reflektuar spektrin e risqeve në Kosovë. Për këtë arsye, në fillim të vitit 2016, me iniciativë dhe me kontribut në kapital në formë granti të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve KIESA është themeluar dhe funksionalizuar Fondi Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK), i cili deri më tani ka garantuar një portofolio prej 123 kredive në vlerë prej rreth 6 milionë eurove drejt ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM) duke garantuar deri në 50% të ekspozimit kreditor të tyre gjë e cila rrjedhimisht ka përgjysmuar edhe kërkesën për mbulueshmëri me kolateral duke arritur kështu qëllimin përfundimtar të FKGK-së për ngritje të kreditimit të NVM-ve në Kosovë.

iBANK: Shumë investime të huaja në Kosovë po bëhen në patundshmëri, pse ky sektor aq atraktiv?

Mustafa: Këtë e vlerësoj si diçka normale duke pasur parasysh historinë e këtyre dy-tri dekadave të fundit në Kosovë. Siç ka ndodhur dhe është normale në çdo shtet në tranzicion socio-ekonomik nga një ekonomi dhe jetë shoqërore e centralizuar dhe e komanduar tek një ekonomi dhe shoqëri e lirë dhe e decentralizuar një pjesë e madhe e popullsisë shpërngulen nga zonat rurale tek ato urbane. Njëkohësisht, diaspora jonë e ka pasur mjaft të vështirë të investojë në patundshmëri në Kosovë para vitit 1999, kurse tani falë lirisë së Kosovës, dëshirës për të blerë apo ndërtuar shtëpi ose banesë në vendlindje, si dhe ngritjes substanciale të fuqisë financiare të tyre diaspora, së bashku me të zhvendosurit nga zonat rurale në ato urbane, ka ngritur kërkesën për investime në sektorët e patundshmërisë dhe ndërtimtarisë veçanërisht në qytetet më të mëdha ku është përqendruar aktiviteti administrativ dhe ekonomik si: Prishtina, Peja, Prizreni, Ferizaj, Gjilani, etj.

Po bien kamatat, po rriten kërkesat

iBANK: Normat e interesit në kredi hipotekare kanë shënuar rënie të konsiderueshme viteve të fundit, a po ndikon kjo në rritjen e kërkesës për investime në këtë sektor?

Mustafa: Zbritja e normave të interesit në kredi hipotekare është një lajm tejet i mirë sidomos për çiftet e sapomartuara, të cilët dëshirojnë të blejnë ose ndërtojnë shtëpi apo banesë përmes kredive hipotekare. Natyrisht, zbritja e normave të interesit ndikon në rritjen e kërkesës në sektorin e patundshmërisë dhe ndërtimtarisë edhe nga dy grupet demografike që ceka më parë: të shpërngulurit nga zonat rurale në zonat urbane dhe diaspora. Por, duhet cekur që zbritja e normave të interesit në Kosovë është theksuar në të gjitha llojet e kredive dhe jo vetëm në kreditë hipotekare. Kjo ka ndodhur si rrjedhojë e disa zhvillimeve të njëkohshme: ngritja substanciale e depozitave në bankat në Kosovë kryesisht nga diaspora, zbritja drastike e normave të interesit në këto depozita, konkurrenca në tregun e lirë në mes të bankave komerciale që ka rezultuar në zbritjen e normave të interesit në kredi, përmirësimit të ambientit të të bërit biznes, përmirësimeve në kadastër dhe gjyqësor, themelimi dhe funksionalizimi i plotë i përmbaruesve privatë, përfshirja e gjithnjë e më shume e Arbitrazhit si formë e zbatimit të kontratave pa pasur nevojë për pritje të gjata në gjykatë, themelimi i Departamentit për Çështje Ekonomike në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe Divizionit për Investitorët e Huaj në kuadër të këtij Departamenti, etj.

iBANK: Sa arrijnë investimet vjetore vetëm në sektorin e patundshmërisë në Kosovë?

Mustafa: Siç thashë më parë, sektori i patundshmërisë ka arritur të tërheqë 1 miliard e 15 milionë euro në këto 10 vjetët e fundit 2007 - 2016 ose 158.8 milionë euro vetëm në vitin 2016.

iBANK: Po qe se do të ekzistonte një efikasitet më i madh i sektorit gjyqësor a do të ndikonte që normat e interesit për kredi hipotekare të jenë edhe më të favorshme?

Mustafa: Natyrisht, efikasiteti i gjyqësorit, apo ajo që njihet si zbatimi i kontratave, është element thelbësor i krijimit të një ambienti të mirëfilltë dhe të sigurt biznesor në çdo shtet. Kjo ndikon në uljen e riskut biznesor në përgjithësi dhe të riskut ligjor në veçanti që rrjedhimisht pastaj ngre sigurinë dhe besimin e investitorëve vendorë dhe të huaj për të filluar projekte të reja investive në Kosovë, për të zgjeruar vëllimin dhe numrin e investimeve, si dhe për të mbajtur fitimin e krijuar në Kosovë për ta riinvestuar atë. Kjo vlen edhe për sektorin financiar, i cili duke u ballafaquar me një risk ligjor më të ulët si rezultat i rritjes së efikasitetit të gjyqësorit kosovar, do të vendoste të riinvestonte kapitalin e tyre përmes rritjes së kredidhënies në të gjithë sektorët ekonomik: prodhim, patundshmëri, ndërtim, tregti, shërbime, etj.

iBANK: Pakoja e re fiskale a do të ndikojë në përmirësimin e ambientit biznesor në Kosovë?

Mustafa: Ministria e Financave në bashkëpunim me të gjitha palët e interesit, duke përfshirë mbi të gjitha komunitetin e biznesit në Kosovë ka hartuar dy pako fiskale për të stimuluar zhvillimin e sektorit privat në përgjithësi dhe sektorit prodhues në veçanti. Përveç ndryshimeve tjera këto dy pako në thelb stimulojnë zhvillimin e sektorit prodhues duke zgjeruar listën e lëndëve të para të liruara nga tatimet doganore, heqjen e akcizës në disa produkte, paraqitjen e pushimeve tatimore në bazë të investimit në kapital dhe punësimit të ri të gjeneruar, ngritjes së transparencës në ATK dhe Dogana, fiskalizimin, etj. Të gjitha këto masa të të dy pakove fiskale kanë treguar rezultate gati të menjëhershme drejt përmirësimit të ambientit biznesor dhe, mbi të gjitha, ngritjes së sigurisë dhe besimit të investitorëve vendorë dhe të huaj për të investuar dhe riinvestuar në Kosovë, për të ngritur numrin e të punësuarve, për të paraqitur teknologji të reja, për të investuar në inovacion dhe linja të reja të prodhimit, etj.