Po krahasohemi me bankat perëndimore

Ilir Aliu, drejtor gjeneral i "ProCredit Bank" në Kosovë, thotë gjatë një interviste për shtojcën "iBank" se sistemi bankar në vend është duke e ndjekur trendin e botës së digjitalizimit me shpejtësi dhe intensitet të admirueshëm, por edhe të krahasueshëm me vendet perëndimore Banka "ProCredit" ka nisur e para me modernizimin dhe transformimin e shërbimeve bankare në Kosovë, duke sjellë koncept të integruar të ofrimit të shërbimeve bankare digjitale dhe infrastrukturë të integruar të shërbimeve elektronike bankare në formatin

"Zona 24/7". "Si rezultat 99% e të gjitha transaksioneve bankare kryhen përmes kanaleve digjitale - e-banking, "Zona 24/7" ( që janë të pajisura me bankomate për tërheqje, deponim dhe pajisje të tjera të nevojshme për të kryer shërbime të përditshme bankare)", thotë Ilir Aliu, drejtor gjeneral i "ProCredit Bank" - Kosovë.

Ai gjatë një interviste për shtojcën "iBank" shton se në këtë koncept sistemi financiar ka qenë subjekt i këtij revolucioni digjital, duke adaptuar teknologjitë më bashkëkohore në fushën e komunikimit dhe të ofrimit të shërbimeve për klientë.

Njëkohësisht përpos avancimit digjital, të dhënat e fundit tregojnë se vitin e kaluar sektori bankar ka performuar pozitivisht në të gjithë indikatorët kryesorë: Rritje të volumit të kredive (10%) dhe të depozitave (8%) dhe avancimet në shërbimet bankare me plot inovacione. "Dëshmi e stabilitetit është niveli i lartë i depozitave në tregun vendor, ku shuma e depozitave në sektorin bankar arrin në 2.8 miliardë euro, me një pjesëmarrje të bankës sonë prej 688 milionë eurosh", ka bërë të ditur Aliu.

Edhe niveli i kredive joperformuese brenda sistemit bankar në Kosovë është 5,1%, ndër më i ulëti në rajon. "Banka ProCredit" ka pjesëmarrje më të ulët në krahasim me mesataren e kredive të përgjithshme joperformuese ne treg, vlerë kjo prej 2,8%.

iBank: A është duke u përshtatur trendi i digjitalizimit të shërbimeve bankare në Kosovë me zhvillimet globale të avancimit teknologjik?

Aliu: Sot zhvillimet globale teknologjike po ndryshojnë jetën tonë të përditshme si në aspektin social, ashtu edhe në atë ekonomik, duke i dhënë një dimension krejtësisht tjetër mënyrës se si ne informohemi, komunikojmë, por edhe si e perceptojmë realitetin. Në këto hapësira digjitale, secili individ mund të bashkëveprojë dhe të bëjë që zëri i tyre të dëgjohet. Kjo i ka hapur rrugë shoqërisë për më shumë transparencë, pjesëmarrje, por edhe për inovacion. Në këtë kontekst edhe sistemi financiar ka qenë subjekt i këtij revolucioni digjital duke adaptuar teknologjitë më bashkëkohore në fushën e komunikimit dhe të ofrimit të shërbimeve për klientë.

Ky transformim apo modernizim i shërbimeve bankare është duke ndodhur edhe në Kosovë. Gjatë viteve të fundit bankat komerciale në Kosovë kanë investuar mjaft shumë në avancimin e këtyre shërbimeve duke e rritur shkallën e digjitalizimit të shërbimeve bankare. "Banka ProCredit" përsëri është banka e parë në treg që erdhi me një koncept të integruar të ofrimit të shërbimeve bankare përmes kanaleve të shumëfishta digjitale, duke ofruar infrastrukturë të integruar të shërbimeve elektronike bankare në formatin e ashtuquajtur "Zona 24/7". Përfundimisht, me konfidencë të plotë e them që, me kërkesë edhe të klientëve, sistemi bankar i Kosovës është duke ndjekur trendin e botës së digjitalizimit me shpejtësi dhe intensitet të admirueshëm, por edhe të krahasueshëm me vendet perëndimore.

Teknologjia ka dinamizuar çdo sektor të ekonomisë

iBank: Çfarë efekti po sjell digjitalizimi i shërbimeve bankare në proceset e përgjithshme të industrisë financiare?

Aliu: Teknologjia dhe interneti kanë dinamizuar çdo sektor të ekonomisë, duke filluar nga dekada e fundit e mileniumit të kaluar dhe vazhdon edhe sot. Efekti i teknologjisë në shërbime financiare është shumë pozitiv pasi rrit qasjen dhe kualitetin e shërbimeve bankare. Me avancimet teknologjike disa procese si p.sh. trajtimi i keshit, janë automatizuar dhe si funksione janë shuar në masë të madhe në banka gjithandej. Në anën tjetër, digjitalizimi ka mundësuar që bankat të fokusohen në avancimin e këshilldhënies për klientë, që kërkon njohuri të avancuara të shërbimeve bankare. Kjo imponon që bankat në vazhdimësi të investojnë në trajnime të stafit në mënyrë që t'i përshtaten kërkesave të klientëve, çdo ditë e më të avancuara.

iBank: Pavarësisht investimeve evidente në automatizimin e shërbimeve, duke u bazuar në statistikat e BQK-së, Kosova ka numër më të vogël të ATM-ve në rajon, numër më të vogël të shfrytëzuesve të llogarive e-banking. Pse ka ndodhur ngecja me shërbimet e tilla për klientët, ndonëse penetrimi i internetit është shumë i lartë në vend?

Aliu: Historia e zhvillimit të përdorimit të këtyre kanaleve digjitale në Kosovë ka një histori jo të gjatë. Është e kuptueshme se në fillim numri i përdoruesve, si dhe vëllimi i qarkullimit ka qenë i vogël, qoftë për shkak të hezitimit të klientëve që të nisin përdorimin e kësaj platforme të bankimit, apo edhe për shkak të limitimeve në funksionalitetin e pajisjeve. Mirëpo, avancimi i funksionaliteteve, si p.sh. deponimi i keshit apo edhe pagesat e tatimeve online ka rritur nivelin e përdorimit në nivel të lartë. Gjithashtu, mund të konsiderohet se vazhdimisht banka është në proces të avancimit të shërbimeve në mënyrë që të integrohen edhe më tutje palët e ndërlidhura, por edhe të avancohet baza mbështetëse ligjore. Sot, në bankën tonë përdorimi i këtyre kanaleve është jashtëzakonisht i kënaqshëm: 99% e të gjitha transaksioneve bankare kryhen përmes kanaleve digjitale - e-banking, "Zona 24/7" ( që janë të pajisura me bankomate për tërheqje, deponim dhe pajisje të tjera të nevojshme për të kryer shërbime të përditshme bankare).

iBank: Normat e interesit në kredi kanë rënë dukshëm në Kosovë. A ka ndikuar konkurrenca në këtë sektor që të ulen normat e interesit apo për shkak të rënies së kërkesës nga klientët?

Aliu: Ne vazhdimisht kemi adresuar normat e interesit në kredi me objektiv për të ofruar kushte më të avancuara për klientë në kredi dhe shërbimet të tjera bankare. Fokus të veçantë i kemi kushtuar kredive investive me afat më të gjatë dhe me kushte lehtësuese si p.sh. "grace" periudha, pasi që një ofertë e tillë mbështet dhe stimulon bizneset në rritjen e kapaciteteve të tyre. Norma e interesit në këtë sektor ka qenë më e ulët dhe stimuluese për investime tek bizneset kosovare e sidomos ato prodhuese. Ulja e normave të interesit në "ProCredit Bank" është po ashtu rezultat i përvojës së krijuar me klientët, pas një relacioni më të gjatë dhe njohje më të mirë me aktivitetet e tyre.

Nivel i ulët i kredive problematike

iBank: A përballen me probleme bankat gjatë shitjes së hipotekave dhe a janë gjykatat efikase në këtë drejtim?

Aliu: Edhe pse ka avancime në fushën e efikasitetit, në periudhat e kaluara në zbatimin e kontratave një ndër sfidat kryesore që rrjedh tek menaxhimi i kredive problematike është i ndërlidhur me mbështetjen e gjyqësorit. Avancimi i mëtutjeshëm në këtë fushë do të ndikonte pozitivisht jo vetëm te bankat, por edhe tek bizneset. Lajm i mirë është që niveli i kredive problematike është i ulët. Kjo është rezultat i metodologjisë sonë të kreditimit, e cila është e bazuar në analizë të thuktë financiare për bizneset dhe kujdes të shtuar tek kreditimi i personave fizikë, duke ju shmangur kështu kredive konsumuese dhe kreditimit me kredit kartela në masë të gjerë, të cilat mund të shkaktojnë mbingarkesën me borxhe të njësive familjare në Kosovë. Kreditë problematike vijnë kryesisht nga sektorët e bizneseve me vështirësi në afarizmin e tyre, edhe pse numri nuk është shumë i lartë dhe shumica e këtyre rasteve datojnë me vite. Në anën tjetër, banka jonë e konsideron konfiskimin e kolateralit si opsionin e fundit meqenëse jemi të vetëdijshëm që shqyrtimi i një lënde gjyqësore merr shumë kohë dhe ballafaqohet me shumë vështirësi dhe sfida. Pra, për këtë arsye, ne i kushtojmë rëndësi të veçantë masave parandaluese duke u përqendruar në identifikimin e aplikacioneve të "këqija" para aprovimit.

iBank: Vitin e kaluar kreditimi nga bankat komerciale ka shënuar rritje. Ku ka ndodhur kryesisht rritja, në kreditë familjare, për biznesin apo...?

Aliu: Ne bazë të të dhënave të fundit, vitin e kaluar sektori bankar ka performuar pozitivisht në të gjithë indikatorët kryesorë: rritje të volumit të kredive (10%) dhe depozitave (8%) dhe avancimet në shërbimet bankare me plot inovacione. Gjithashtu, edhe lansimi i Fondit Kosovar për Garantimin e Kredive ka filluar të ketë efekte pozitive. Në "ProCredit Bank" fokus të veçantë i dedikojmë zhvillimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, të cilat mbështesin dhe prodhojnë rritje ekonomike në vend dhe punësim, me c'rast kemi arritur të shtojmë volumin e biznesit bankar në çdo aspekt. Tek personat privatë ne vazhdojmë të promovojmë kursimet dhe fokus të veçantë i kemi dhënë kredive për shtëpi me afate të kthimit deri në 15 vjet dhe norma preferenciale që do të vazhdojmë edhe këtë vit. Kjo rezultoi në një interesim të madh nga klientët tanë dhe si rezultat ne do të vazhdojmë të jemi aktivë edhe në vijim. Theks të veçantë i kemi dhënë edhe kredive EKO, që për qëllim kanë ngritjen e efikasitetit të energjisë që arrihet me investime në teknologji moderne dhe ndërtim me koeficient të lartë të efikasitetit të energjisë. Shuma e kredive në sektorin bankar arrin në 2,2 miliardë euro, me një pjesëmarrje të bankës sonë prej 475 milionë euro, apo 22 % në nivel të përgjithshëm.

"ProCredit Bank", rreth 690 milionë euro depozita

iBank: Gjithashtu edhe normat e interesit në depozita kanë shënuar rënie? Pse?

Aliu: Arsyeja e rënies së interesit në depozita është e lidhur me mundësitë e limituara për investime të tepricës së likuiditetit, që do të thotë se është në korrelacion me lëvizjet e përgjithshme në tregjet vendore dhe ndërkombëtare. Menaxhimi i suksesshëm i riskut nënkupton ndërmarrjen e ndryshimeve të duhura edhe në çmimore, si dhe menaxhimin e aseteve dhe detyrimeve në mënyrë që të sigurohet stabiliteti afatgjatë i institucionit dhe shërbimeve të kualitetit të lartë për klientët e bankës. Dëshmi e stabilitetit është niveli i lartë i depozitave në tregun vendor ku shuma e depozitave në sektorin bankar arrin në 2.8 miliardë euro, me një pjesëmarrje të bankës sonë prej 688 milionë eurosh.

iBank: Niveli i kredive joperformuese në vendin tonë vazhdimisht po shënon rënie, në raport me vendet e rajonit Kosova qëndron shumë mirë në këtë drejtim. Çka ka ndikuar që kthimi i kredive në Kosovë të jetë më i mirë në raport me të gjitha vendet e rajonit?

Aliu: Niveli i kredive joperformuese brenda sistemit bankar në Kosovë është 5,1%, ndër më i ulëti në rajon. "Banka ProCredit" ka pjesëmarrje më të ulët në krahasim me mesataren e kredive të përgjithshme joperformuese në treg, vlerë kjo prej 2,8%. Kjo vjen si rezultat i teknologjisë së kreditimit që përdor banka jonë, duke mundësuar lejimin e kredive vetëm për klientët të cilët kanë kapacitet të shëndoshë financiar për ta kthyer kredinë.

3.2 milionë euro investime në Qendrën Rajonale të Trajnimit

iBank: "ProCredit Bank" ka hapur në Prevallë një qendër rajonale për trajnime, pse është zgjedhur Kosova që të bëhet trajnimi edhe për stafin e rajonit të PCB-së?

Aliu: Suksesi dhe qëndrueshmëria që ne shfaqim në operacionet e biznesit janë rezultat i drejtpërdrejtë i përkushtimit tonë për arritjen e objektivave që ne i kemi vendosur në linjë me misionin dhe vizionin e Bankës. Gjithsesi, asnjë objektiv nuk mund të arrihet pa një skuadër punonjësish të motivuar, të dedikuar dhe të mirëtrajnuar. Andaj, për këtë arsye investimet në trajnimin dhe zhvillimin e vazhdueshëm të punonjësve tanë janë të një rëndësie të veçantë.  Ne besojmë që zgjedhja e Kosovës për ndërtimin e kësaj qendre, investim ky mbi 3.2 milionë euro i bankës sonë tregon përkushtimin e grupit "ProCredit" në avancimin e mëtutjeshëm të kapaciteteve humane dhe vendosmërinë për zhvillimin e sektorit bankar dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

iBank: Në fund të vitit që lamë pas "ProCredit Holding" është listuar në "Tregjet e rregulluara" (Prime Standard) të Bursës së Frankfurtit. Çka do të përfitojë banka dhe klientët?

Aliu: Që nga 22 dhjetori 2016, "ProCredit Holding" AG & Co. KGaA (ProCredit Holding), kompania amë e grupit ndërkombëtar të bankave "ProCredit", është listuar në "Tregjet e rregulluara" (Prime Standard) të Bursës së Frankfurtit (Frankfurter Wertpapierbörse) në Gjermani. Kjo shënon një tjetër moment historik në zhvillimin e suksesshëm të grupit "ProCredit" që nga themelimi i tij si grup bankar në vitin 2003. Me këtë listim në Bursën e Frankfurtit, "ProCredit Holding" hapet për investitorë të cilët mund të identifikohen me qasjen unike të grupit ndaj bankimit dhe me misionin etik korporativ të zbatuar dhe të jetësuar nga këshilltarët jashtëzakonisht të trajnuar mirë të klientëve në secilën bankë "ProCredit". Si një grup i ri bankar, modern dhe shumë i integruar, i cili është i pozicionuar shumë mirë në sektorët bankarë ku operon, kryesisht të ekonomive në zhvillim, grupi "ProCredit" beson në zhvillimin ekonomik që është në përputhje me kriteret ekologjike dhe shoqërore të tij. Grupi është i përqendruar në Evropën Juglindore dhe Lindore ku shërben si "Bankë partnere" për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM-të). Grupi "ProCredit" i kushton rëndësi të madhe nxitjes së ndërmarrësisë përmes bashkëpunimit me NVM-të formale, progresive të cilat kanë modele të qëndrueshme afariste. Listimi i "ProCredit Holding" në nënsegmentin "Prime Standard" të Bursës së Frankfurtit thekson edhe më tej zotimin e ProCredit-it ndaj transparencës, një shtyllë kjo me rëndësi të veçantë e cila vazhdimisht e ka mbështetur grupin gjatë rrugës zhvillimore dhe profitabile të tij. Pranimi i "ProCredit Holding" si anëtar i Bursës së Frankfurtit do të duhej mbi të gjitha të ishte lajm i mirë për klientët NVM të grupit, ku potenciali i shkëlqyer për rritje do të ju shërbejë edhe më mirë nga qasja më e madhe e "ProCredit Holding" në tregun e kapitalit.

2.8 miliardë euro është shuma e përgjithshme e depozitave në sektorin bankar të Kosovës.

688 milionë euro kanë arritur depozitat e përgjithshme në "ProCredit Bank".

2,8% është niveli i kredive joperformuese në "ProCredit Bank", shifër kjo më e ulëta krahas bankave të tjera komerciale, përderisa 5,1% është niveli i kredive performuese brenda sektorit bankar të Kosovës.

10% janë rritur kreditë vitin e kaluar në sektorin bankar përderisa rritja e depozitave ka qenë 8%.