Shumë kredi, pak të këqija

Kreditimi në Kosovë gjatë vitit të kaluar ka qenë më i larti në rajon, me një rritje mesatare prej mbi 10 për qind, derisa shkalla e kredive të këqija(joperformuese) është vetëm 4,9 për qind. Mesatarja e kredive joperformuese në vendet e rajonit është 14,9 për qind

Bankat komerciale në Kosovë gjatë vitit të kaluar kanë thyer rekordin rajonal për rritje të kreditimit dhe njëkohësisht kanë arritur ta ruajnë shkallën më të ulët të kredive joperformuese, duke mos e vënë në pikëpyetje stabilitetin bankar në vend.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka raportuar se gjatë vitit 2016 kreditimi nga bankat komerciale në vend ka shënuar rritje prej 10,4 për qind, rritje kjo më e larta në rajon, ku mesatarja e kreditimit sillet rreth 3 për qind.

Shuma e përgjithshme e kredive të lejuara nga bankat ka kaluar 2.2 miliardë euro derisa në vitin 2015 kishin arritur në rreth 2 miliardë euro.
Derisa kreditimi është rritur, kreditë joperformuese vetëm sa janë zvogëluar dhe sipas BQK-së, janë vetëm 4,9%, për dallim nga vendet e rajonit ku kreditë e tilla arrijnë në 14,9%.

Rritje e lartë e kredive për sektorin e tregtisë

"Në mungesë të të dhënave për gjysmën e dytë të vitit 2016, Kosova deri në qershor të vitit të kaluar ishte karakterizuar me një rritje vjetore të kreditimit prej 8,4 për qind, menjëherë pas Serbisë që kishte një normë të rritjes së kreditimit prej 9,5 për qind, përderisa rritja mesatare e kreditimit të rajonit ishte rreth 3 për qind. Vlerësohet se kreditimi deri në fundvit ka shënuar rritje vjetore prej 10,4%", ka bërë të ditur Besnik Kada, zëdhënës i BQK-së, duke shtuar se kreditimi ndaj sektorit të tregtisë ka dhënë kontributin kryesor në rritjen e përgjithshëm të kreditimit.
Sipas statistikave të BQK-së për vitin 2016, shuma e përgjithshme e kredive për ekonomitë familjare është mbi 796 milionë euro, derisa për ndërmarrjet mbi 1 miliard e 428 milionë euro.

"Kreditimi për ekonomitë familjare gjatë vitit 2016 ka shënuar rritje vjetore prej 14,7 për qind, derisa për ndërmarrje 8,3%, me një mesatare të përgjithshme vjetore prej 10,4%", thuhet mes tjerash në raportin e BQK-së për sistemin financiar në vend.

Në anën tjetër, shkalla e kredive joperformuese në sektorin bankar në Kosovë, sipas zëdhënësit të BQK-së, gjatë vitit 2016 ishte vetëm 4,9%. "Norma e kredive joperformuese të sektorit bankar në Kosovë mbetet në nivelin më të ulët krahasuar me vendet e rajonit, që mesatarisht në qershor të 2016-s kishin një normë prej 14,9 për qind të kredive joperformuese ndaj gjithsej kredive", ka thënë Kada.

Performim pozitiv i bankave

Banka komerciale "ProCredit Bank" ka raportuar për një shkallë shumë të ulët të kredive joperformuese. Drejtori i përgjithshëm i kësaj banke, Ilir Aliu, ka bërë të ditur se "ProCredit Bank" ka pjesëmarrje më të ulët në krahasim me mesataren e kredive të përgjithshme joperformuese në treg, vlerë kjo prej 2,8%.

"Kjo vjen si rezultat i teknologjisë së kreditimit që përdor banka jonë, duke mundësuar lejimin e kredive vetëm për klientët, të cilët kanë kapacitet të shëndoshë financiar për ta kthyer kredinë", thotë Aliu.

Edhe drejtori i bankës më të madhe komerciale në vend konfirmon se në bazë të të dhënave të fundit, vitin e kaluar sektori bankar ka performuar pozitivisht në të gjithë indikatorët kryesorë: rritje të volumit të kredive (10%) e depozitave (8%) dhe avancimet në shërbimet bankare me plot inovacione. 'Gjithashtu, edhe lansimi i Fondit Kosovar për Garantimin e Kredive ka filluar të ketë efekte  pozitive", shprehet Aliu.

Petrit Balija, drejtori i Shoqatës së Bankave të Kosovës, thotë se pavarësisht se ecuria e sistemit bankar në Kosovë përgjatë vitit 2016 paraqitet e qëndrueshme dhe me një trend në rritje, megjithatë deri në fund të nëntorit 2016 shihet se fitimet e bankave komerciale janë rreth 12% më të ulëta, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2015.

"Gjatë vitit 2016 vëllimi i aktivitetit bankar është zgjeruar si në kreditim, ashtu edhe në transaksione dhe shërbime të tjera bankare. Kreditimi është rritur me një normë mesatare prej 9,5%. Kjo është rritja më e madhe e kreditimit në tri vjetët e fundit, që do të thotë se bankat janë duke rritur qasjen në financa për bizneset", ka bërë të ditur drejtori i Shoqatës së Bankave.

Menaxhim i përgjegjshëm dhe mbikëqyrje rigoroze

Prorektori i universitetit publik "Haxhi Zeka" në Pejë, Ibish Mazreku, vlerëson se sistemi bankar në Kosovë që nga paslufta është një histori suksesi. "Sistemi bankar gjatë historisë së saj disavjeçare ka një falimentim (Banka Kreditore e Prishtinës), si dhe  bashkimin e dy bankave në një bankë. Performimi pozitiv i sistemit bankar është edhe meritë e qytetarëve në depozitimin e mjeteve të tyre në sistemin financiar që nga paslufta ka trend të rritjes", vlerëson Mazreku.
Ky sukses po ashtu, sipas tij, është rezultat i menaxhimit të përgjegjshëm të bankave, si dhe i mbikëqyrjes rigoroze nga Banka Qendrore.
Duke e komentuar performancën pozitive të bankave komerciale, derisa shumë biznese në vend e raportojnë të kundërtën, Mazreku thotë se bankat sigurojnë lehtë fondet e tyre nga depozitat e qytetarëve dhe të bizneseve dhe ato depozita përdoren për kreditimin e bizneseve dhe individëve, ndërsa kërkesa për kredi ka qenë gjithmonë e madhe dhe dështimi i kredive është ende i vogël.

"Nëse performancën e këtij sektori e krahasojmë me perfomancën e bizneseve të tjera tregon që ky sektor është shumë profitabil dhe ka një trend stabil dhe të sigurt", ka vlerësuar Mazreku.

*2.2 miliardë euro është shuma e përgjithshme e kredive të aprovuara nga sektori bankar në Kosovë.

*1.428 miliardë euro është vlera e përgjithshme për ndërmarrjet. Kreditë për ndërmarrjet janë rritur 8,3% gjatë vitit të kaluar.

*796 milionë euro është vlera e përgjithshme e kredive për ekonomitë familjare. Këto të fundit janë rritur 14,7 % gjatë vitit të kaluar.

*10,4% ka shënuar rritje kreditimi gjatë vitit 2016.

*4,9% është shkalla mesatare e kredive joperformuese në Kosovë.

*14,9% është shkalla mesatare e kredive joperformuese në rajon.