ALPEX zgjedh ProCredit si bankë të vetme për shlyerje të transaksioneve dhe anëtare të përgjithshme të klerimit
Tregu i energjisë, në shkallë globale, ka pësuar ndryshime të mëdha në vitet e fundit. Prandaj, edhe në Kosovë, avancimi i këtij tregu është gjithmonë e më shumë një prioritet.
Me 4 Mars 2024, është shënuar një hap monumental në udhëtimin e vendit drejt një tranzicioni energjetik më të qëndrueshëm në Kosovë. Është funksionalizuar ALPEX – Albanian Power Exchange si operatori përgjegjës për menaxhimin dhe administrimin e Tregjeve Ditore dhe Brenda Ditës (ALPEX Markets). ALPEX do të operojë në tregun e organizuar të energjisë elektrike (të ditës në avancë dhe brenda së njëjtës ditë) në Shqipëri dhe Kosovë. Një iniciativë kaq e rëndësishme, që kërkon nivelin më të lartë të sigurisë dhe efikasitetit, i është besuar Bankës ProCredit për të përfaqësuar dy role me rëndësi në këtë proces.
Banka ProCredit do të përmbushë rolin e saj si Bankë e Shlyerjes/Settlement Bank në realizimin e transaksioneve financiare në këtë treg të ri, proces ky kyç për funksionalizimin e operacioneve ditore të ALPEX. Në rolin e Bankës për Shlyerje të Transaksioneve Financiare, ProCredit është banka e parë dhe e vetme përgjegjëse për shlyerjen e të gjitha transaksioneve që do të kryhen në bursën e energjisë. Suksesi i një programi si ALPEX është rrënjësisht i varur në procesimin e saktë të transaksioneve, prandaj banka ProCredit qëndron e angazhuar në rolin e saj si ndërmjetës i besueshëm, duke menaxhuar transaksionet, duke minimizuar rrezikun, dhe duke siguruar që transaksionet të jenë në përputhje me kërkesat dhe standardet e caktuara nga rregullatorët.
Përveç kësaj, Banka ProCredit është shpallur edhe si Anëtar i Përgjithshëm i Klerimit për ALPEX, duke ofruar garanci për funksionimin e qëndrueshëm të bursës dhe duke siguruar kryerjen e pagesave për transaksionet energjetike me saktësi dhe në kohë për të gjithë pjesëmarrësit në treg. Banka ProCredit aktualisht është banka e vetme në këtë sektor që do të përfaqësojë bizneset të cilat do jenë anëtarë burse dhe të licenesuar për tregtim. Pikë kyçe e këtij aktiviteti është garancioni nga banka për bursën ALPEX, që pagesat për klientët që përfaqësojmë në shitje apo blerje të energjisë, të kryhen me kohë dhe saktësi.
Operacionalizimi i ALPEX është një hap shumë i rëndësishëm për tregun e energjisë në Kosovë, duke na avancuar drejt një të ardhme me më pak kriza energjetike dhe më shumë mundësi të zhvillimit ekonomik. Kjo ngjarje shënon një angazhim të vazhdueshëm të Bankës ProCredit në përkrahje të tranzicionit energjetik drejt një të ardhme më të qëndrueshme energjetike për të gjithë qytetarët dhe bizneset në Kosovë.
#ProCredit #ALPEX #TranzicioniEnergjetik #Kosovë2030