BERZH-i siguron hua prej 13 milionë eurosh për Bankën ProCredit në Kosovë
11/22/2024
Huaja do të përforcojë kreditimin e mëtutjeshëm për NVM dhe investimet në sektorin e banimit
- BERZH-i siguron hua prej 13 milionë eurosh për ProCredit Bank në Kosovë në kuadër të dy linjave kreditore
- Financimi do të përforcojë kreditimin e mëtutjeshëm për NVM dhe do të ndihmojë për sektorin e gjelbër të banimit në Kosovë
- Projektet mbështeten nga BE-ja, Danimarka, Japonia, Luksemburgu, Norvegjia, Zvicra dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikë
Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) po mbështet disa sektorë në Kosovë përmes një partneriteti me ProCredit Bank.
Banka po ofron financim për ProCredit Bank në Kosovë për dy projekte, me financim të përgjithshëm prej 13 milionë eurosh:
- Një hua senior deri në 8 milionë euro në kuadër të Programit të BERZH-it për Rigjallërim të NVM-ve për nxitjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM), me fokus të veçantë në investimet në teknologjitë e gjelbra me performancë më të mirë. Si rezultat, NVM-të në Kosovë do të bëhen më konkurruese në tregun vendas dhe jashtë vendit, pasi që këto investime do të ndihmojnë që ato të jenë në pajtueshmëri me standardet e Bashkimit Evropian (BE) dhe standarde të tjera ndërkombëtare. Danimarka dhe Zvicra po e mbështesin programin me bashkëpunim teknik përmes Fondit të BERZH-it për Ndikim të Biznesit të Vogël (SBIF). NVM-të lokale do të përfitojnë kthim në para të gatshme për deri në 15 për qind të shumës së kredisë, duke i bërë investimet e tyre më të përballueshme. Këto stimuj të granteve për programin do të mbështeten nga Norvegjia, Luksemburgu, Zvicra dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes SBIF, si dhe nga Danimarka.
- Një hua senior deri në 5 milionë euro në kuadër të Instrumentit për Financim të Ekonomisë së Gjelbër (GEFF) për të mbështetur efiçiencën e energjisë dhe investimet në energjinë e ripërtërishme nga banorët individualë, kolektivët banesorë, kompanitë e ndërtimtarisë dhe sektori publik. Kjo hua do të mbështesë investimet në teknologji të gjelbra me performancë të lartë, materiale të qëndrueshme dhe zgjidhje inovative në banesa dhe ndërtesa rezidenciale në pronësi private Pronarët e shtëpive do të përfitojnë pagesa stimuluese deri në 20 për qind të vlerës së kredisë pas instalimit të suksesshëm të teknologjive të gjelbra. Së bashku me qasjen në financa, ata do të marrin gjithashtu këshilla për zgjedhjen dhe blerjen e pajisjeve me kursim të energjisë si izolimi, dritaret, pompat termike dhe panelet solare. Huaja mbështetet nga BE-ja përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe me mbështetje nga Japonia dhe Danimarka.
Një partner afatgjatë i BERZH-it, ProCredit Bank në Kosovë është banka më e madhe e NVM-ve në vend, e cila është e fokusuar fuqishëm në kreditimin e NVM-ve dhe ka rekorde të dëshmuara në zbatimin me sukses të linjave kreditore për NVM-ve të ofruara prej saj.
Sergiy Maslichenko, Udhëheqësi i BERZH-it për Kosovën, tha: “Jemi të kënaqur që po e forcojmë partneritetin tonë me ProCredit Bank në Kosovë përmes këtij investimi të rëndësishëm, i cili nënvizon përkushtimin tonë për mbështetjen e tranzicionit të gjelbër dhe zhvillimit ekonomik të Kosovës. Këto projekte theksojnë përkushtimin e Bankës për avancimin e sektorëve kyç në mbarë vendin. Linja jonë kreditore për NVM-të do të krijojë mundësi të reja për një segment krucial të ekonomisë, ndërsa iniciativa jonë për sektorin e gjelbër të banimit do të nxisë kalimin në ekonominë e të gjelbër, do të reduktojë emetimet e gazrave serë, si dhe do të ulë kostot e energjisë”.
Visar Paçarada, Kryeshefi Ekzekutiv i ProCredit Bank në Kosovë, shtoi: “ProCredit Bank në Kosovë është e përkushtuar që të udhëheqë duke dhënë shembullin për nxitjen e progresit dhe qëndrueshmërisë ekonomike. Partneriteti ynë me BERZH-in thekson fuqinë e bashkëpunimit për të arritur ndikim kuptimplotë. Duke mbështetur NVM-të dhe duke promovuar praktika të qëndrueshme në sektorin e banimit, ne i fuqizojmë bizneset që të rriten me përgjegjësi, ndërkohë që u mundësojmë individëve të investojnë në teknologji me efiçiencë të energjisë, duke kontribuar drejtpërdrejt në rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe qëndrueshmërinë mjedisore në Kosovë”.
BERZH është investitor institucional kryesues në Kosovë, me investime të përgjithshme prej më shumë se 680 milionë eurosh përmes 112 projekteve deri më sot.