Banka ProCredit Kosovë bëhet banka e parë në vend që i bashkohet kornizës së BERZH-it për ndarjen e riskut

12/18/2023

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka lansuar kornizën për ndarjen e riskut për bankat e Kosovës dhe Banka ProCredit Kosovë ështe e para që i bashkohet si bankë partnere.

Bashkëpunimi me kornizën për ndarje të riskut mbështet strategjinë e PCBK-së për rritje të vazhdueshme të bizneseve me fokus tek segmenti i NMV-ve, ndërkohë që i mundëson të plotësojë nevojat për financimin e klientëve të mëdhenj.

Kjo kornizë është konceptuar për t’i mundësuar BERZH-it të ndajë ekspozimin e bankave ndaj ndërmarrjeve vendore përmes pjesëmarrjes në riskun e pafinancuar, që është e ngjashme me garancinë. ProCredit do të përfitojë nga korniza e ndarjes së riskut të pafinancuar përmes një periudhe pa afat të disponueshmërisë.

Po ashtu, është miratuar edhe korniza për ndarjen e riskut të financuar e cila do të lansohet në një të ardhme të afërt, ku BERZH-i do të marrë pjesë me të njëjtën shumë të riskut dhe gjithashtu do të sigurojë financim për deri në gjysmën e kredive.

BERZH-i do të themelojë bashkë me ProCredit ndarje të riskut të pafinancuar deri në €10 milionë në total dhe do të marrë pjesë në risk deri në 65 përqind të nën-kredive për klientët e pranueshëm të bankës. Gjithashtu, Banka ka miratuar pagesë stimuluese mjedisore, sociale dhe qeverisëse (ESG) për t’i mbështetur nën-kredimarrësit të përmirësojnë praktikat e tyre të ESG-së. Këto pagesa, që jepen në formën e granteve, do të jenë deri në 10 përqind të shumës së kredisë në maksimumi €50,000 për nën-kredimarrës.

Kreu i BERZH-it në Kosovë, Sergiy Maslichenko, tha: “Kemi kënaqësinë të lansojmë kornizën e ndarjes së riskut në Kosovë, që rrit qasjen në financa për NMV-të vendore, të cilat janë shtylla kurrizore e ekonomisë së vendit. Grantet e ndërlidhura me ESG janë pjesë e rëndësishme, pasi shpalosin shembullin tonë të përkushtimit ndaj qëndrueshmërisë dhe gjithëpërfshirjes në nivelin mikro. Besojmë se ky projekt do të jetë një tjetër tregim suksesi në partneritetin tonë afatgjatë me Bankën ProCredit Kosovë”.

Kryeshefi Ekzekutiv i Përkohshëm i Bankës ProCredit Kosovë, Visar Paçarada, shprehu kënaqësi që ProCredit është banka e parë në vend e cila merr pjesë në kornizën e ndarjes së riskut të BERZH-it: “Si banka kryesore për NMV-të në Kosovë, ne e kemi fokusin tek ndikimi i qëndrueshëm në ekonominë ku veprojmë. Prandaj, korniza për ndarjen e riskut dhe grantet e ndërlidhura me ESG-në do të jenë vegël e dobishme për të lehtësuar rrugëtimin e klientëve tanë drejt qëndrueshmërisë”.

BERZH-i dhe ProCredit Bank organizuan në Prishtinë një ngjarje të përbashkët me 40 NMV vendore për të prezantuar ofertën e kornizës për ndarjen e riskut, si dhe të pagesës stimuluese të ESG-së. Në këtë ngjarje, u nënshkrua pagesa e parë stimuluese me EBC Distribution, nën-kredimarrësi i parë në kuadër të kësaj kornize.

BERZH-i ka histori të gjatë të bashkëpunimit me Bankën ProCredit Kosovë, që është themeluar në vitin 2000, fillimisht duke u bërë aksionar i vogël në periudhën 2001-2007. Bashkëpunimi rifilloi në vitin 2018 në formën e linjave kreditore dhe vazhdon ende sot e kësaj dite. Aktualisht, BERZH-i zotëron 8.7 përqind të aksioneve në kompaninë mëmë të ProCredit Bank, ProCredit Holding.

Banka ProCredit Kosovë është banka e tretë më e madhe në Kosovë sa i përket portfolios aktive të kredive prej 675 milionë eurosh, me pjesëmarrje të tregut prej 15.6 përqind deri në fund të vitit 2022 – si dhe banka kryesore për NMV-të në vend, me një pjesëmarrje të tregut prej 19.6 pëerqind deri në fund të vitit 2022.

Projekti është në linjë me strategjinë vendore për Kosovën 2022 - 2027 të BERZH-it për të mbështetur kompanitë private duke ofruar financim direkt dhe indirekt, përfshirë ndarjen e riskut, për korporata dhe NMV, si dhe për projekte të energjisë së ripërtëritshme.

Përfshirë këtë projekt, deri më sot BERZH-i ka investuar më shumë se €640 milionë në Kosovë.

Shihni artikullin e plotë këtu.