ProCredit shënon rritje domethënëse të portofolit dhe përmirësim të rezultatit të konsoliduar në tremujorin e parë të vitit 2021 duke avancuar tutje bazën e qëndrueshme të vitit financiar 2020

5/25/2021

ProCredit shënon rritje domethënëse të portofolit dhe përmirësim të rezultatit të konsoliduar në tremujorin e parë të vitit 2021 duke avancuar tutje bazën e qëndrueshme të vitit financiar 2020

  • Rritja e kredive të klientëve për 3.0% dhe e depozitave të klientëve për 2.5% thekson pozitën e fuqishme të grupit si partner i besueshëm për NVM-të si dhe terrenin në rritje si një bankë direkte dhe transparente për klientët privatë
  • Portofoli i kredive të gjelbra tejkalon shifrën prej 1 miliardë euro për herë të parë dhe tani përbën 18.8% të totalit të portofolit të kredive
  • Kostoja vjetore e rrezikut prej 27 pikëve bazë nën nivelin e vitit të kaluar flet që treguesit e rrezikut kreditor mbeten të qëndrueshëm
  • Raporti kosto-të hyra prej 64.8% është pak më poshtë se korridori udhëzues prej 65% - 68% për vitin në tërësi
  • Rezultati i konsoliduar prej 15.6 milionë euro paraqet përmirësim të kthimit  nga kapitali prej 7.9%; kontribut i rezultatit pozitiv nga të gjitha bankat ProCredit

Frankfurt am Main, 12 maj 2021 – Grupi ProCredit, i cili kryesisht është aktiv në Evropën Juglindore dhe Lindore, filloi vitin financiar 2021 me rezultate të mira në TM1. Portofoli i kredive të klientëve shënoi rritje për 158 milionë euro ose 3.0%, dukshëm më shumë se në tremujorin e parë të vitit paraprak (TM1 2020: 42 milionë euro, 0.9%). Rezultati i konsoliduar u rrit në 15.6 milionë euro (TM1 2020: 13.7 milionë euro), që paraqet përmirësim të kthimit nga kapitali prej 7.9% (TM1 2020: 7.0%). Përmirësimi i rezultatit i atribuohet në masë të madhe rënies së rezervave të humbjes në 3.6 milionë euro, duke ulur kështu koston vjetore të rrezikut në 27 pikë bazë (TM1 2020: 57 pikë bazë; 6.9 milionë euro). Raporti kosto-të hyra ka qëndruar në 64.8% dhe është pak më poshtë se korridori udhëzues prej 65% - 68% për vitin në tërësi (TM1 2020: 64.6%). Të gjitha bankat ProCredit kanë dhënë kontribut në rezultatin pozitiv në TM1 2021, duke çuar në përmirësim të rezultatit të konsoliduar.

Rritja e portofolit në tremujorin e parë të vitit 2021 i atribuohet pozitës së fuqishme të bankës ProCredit në treg si “Hausbank” për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM). Si rezultat i gjendjes makroekonomike ende të tensionuar të shkaktuar nga pandemia dhe në përputhje me pozicionimin e fuqishëm ndaj standardeve mjedisore, sociale dhe të qeverisjes, bankat ProCredit synojnë të vazhdojnë të mbështesin në mënyrë aktive klientët NVM në përballimin e krizës dhe të financojnë projektet e tyre për investime afatgjata. Kjo përfshin kreditë e gjelbra, të cilat shënuan rritje për 33 milionë euro në tremujorin e parë të vitit 2021, që përbën më shumë se 20% të shumës 158 milionë euro të rritjes totale të portofolit gjatë kësaj periudhe. Që nga 31 marsi 2021, portofoli i kredive të gjelbra tejkaloi 1 miliardë euro për herë të parë, duke paraqitur kështu 18.8% të totalit të portofolit të kredive.

Depozitat e klientëve gjithashtu kanë shënuar rritje shumë të mirë prej 123 milionë euro ose 2.5% në tremujorin e parë të vitit 2021 (TM1 2020: rënie prej 1.7% ose 74 milionë euro). Rritja e depozitave ishte kryesisht në fushën e depozitave pa afat dhe depozitave në llogari të kursimeve dhe mund t’i atribuohet në veçanti biznesit të bankimit të drejtpërdrejtë me klientët privatë. 

Profili i qëndrueshëm i rrezikut shërben si bazë për rezultate të mira financiare
Në tremujorin e parë të vitit 2021, cilësia e portofolit ishte e kryesisht e qëndrueshme në nivelet e fundit të vitit 2020. Më 31 mars 2021, përqindja e kredive të zhvlerësuara në portofolin e përgjithshëm ishte 2.7% (31 dhjetor 2020: 2.6%); përqindja e kredive në Fazën 2 tregoi një rënie të lehtë për 0.3 pikë përqindjeje në 4.6%.

Rezultati i konsoliduar për TM1 2021 përfshin shpenzimet e rezervave të humbjeve që arrijnë në shumën 3.6 milionë euro (TM1 2020: 6.9 milionë euro); kjo pasqyrohet me një kosto më të ulët vjetore të rrezikut në 27 pikë bazë (TM1 2020: 57 pikë bazë). Shpenzimet e regjistruara kryesisht i atribuohen rezervave shtesë të humbjeve për kredi të zhvlerësuara dhe rritjes së portofolit. 

Të hyrat neto nga interesi qëndruan në 49.3 milionë euro, që ishin më të ulëta sesa shifra e TM1 2020 që ishte 50.9 milion euro, kryesisht për shkak të shkurtimeve të normës bazë të zbatuar në vitin 2020 – viti i COVID-it. Për më tepër, ndryshimi në alokim midis të hyrave neto nga interesi dhe zërave të rezervave të humbjes prej 1.3 milionë euro nga tremujori i parë i vitit 2021 e tutje ka kontribuar në uljen e të hyrave nga interesi krahasuar me vlerën e vitit paraprak, megjithëse ky ndryshim nuk do të ketë efekt në rezultatin e përgjithshëm. Në shumën 12.0 milionë euro, të hyrat neto nga tarifat dhe komisionet ishin në nivelin e regjistruar në vitin paraprak (TM1 2020: 12.0 milionë euro).

Shpenzimet e personelit dhe ato administrative shënuan rënie për 1.1 milion euro në 40.7 milionë euro në tremujorin e parë, përkundër rritjes së fuqishme të portofolit. Kjo ishte pjesërisht për shkak të aktivitetit më të ulët të udhëtimit si rezultat i pandemisë COVID-19. Kjo strukturë e qëndrueshme e kostos e shoqëruar me rritjen e qëndrueshme të biznesit paraqet potencialin e shkallëzimit të modelit të biznesit të grupit ProCredit.

Raporti i kapitalit të klasit të 1-rë të ekuitetit të zakonshëm mbetet në nivel të fuqishëm 

Raporti i kapitalit të klasit të 1-rë të ekuitetit të zakonshëm (CET1 plotësisht i ngarkuar) më 31 mars 2021 ishte 13.2%, pra në nivelin e fundit të vitit 2020. Zvogëlimi i plasimeve të likuiditetit në bankat qendrore pati një efekt pozitiv në tremujorin e parë të vitit 2021, duke kundërvepruar ndaj efekteve të rritjes domethënëse të portofolit. Rezultati i konsoliduar për tremujorin e parë të vitit 2021 dhe rezultati i konsoliduar për gjysmën e dytë të vitit 2020 nuk janë njohur ende në kapitalin CET1.

Grupi ProCredit vazhdon të zbresë një të tretën e të gjitha fitimeve të njohura nga rezultati i konsoliduar i vitit 2019 dhe rezultati i konsoliduar nga gjysma e parë e vitit 2020 për pagesat e ardhshme të dividendit nga kapitali CET1. Rezultati i konsoliduar për gjysmën e dytë të vitit 2020 do të njihet në kapitalin CET1 pas Mbledhjes së Përgjithshme Vjetore të vitit 2021, ku një e treta gjithashtu do të ndahet për dividend.

Kapitalizimi i qëndrueshëm i grupit ProCredit pasqyrohet veçanërisht në raportin e leverazhit, i cili në 9.2% është lart mbi mesataren për sektorin bankar.


Udhëzimi për vitin financiar 2021 është konfirmuar

Bazuar në zhvillimet pozitive në tremujorin e parë, Bordi Menaxhues konfirmon udhëzimin për vitin financiar siç përcaktohet në pasqyrat vjetore financiare të vitit 2020.

Bordi Menaxhues dhe Bordi Mbikëqyrës kanë propozuar një vendim për shpërndarje të dividendit prej 0.18 euro për aksion të zakonshëm në Mbledhjen e Përgjithshme Vjetore që planifikohet të mbahet më 27 maj 2021. Kjo shumë korrespondon me 20 pikë bazë të raportit të kapitalit të klasit të 1-rë të ekuitetit të zakonshëm të grupit ProCredit, i cili është niveli maksimal sipas rekomandimit të Bankës Qendrore Evropiane për shpërndarjen e dividendit, i vlefshëm deri më 30 shtator 2021. Bordi Menaxhues gjithashtu synon të propozojë, në koordinim me Bordin Mbikëqyrës, një pagesë tjetër të dividendit prej 0.35 EUR për aksion të zakonshëm për vitin financiar 2020 në një Mbledhje të Përgjithshëm të Jashtëzakonshme që planifikohet të mbahet jo më vonë se deri më 31 dhjetor 2021, me kusht që një shpërndarje e tillë të mos përjashtohet me ndonjë deklaratë të Autoritetit Federal të Mbikëqyrjes Financiare ose të Bankës Qendrore Evropiane.

Raporti financiar tremujor i grupit ProCredit për TM1 2021 gjendet që nga sot në faqen e internetit të ProCredit Holding në seksionin “Marrëdhëniet me Investitorët” (ang: “Investor Relations”) në https://www.procredit-holding.com/en/investor-relations/reports-publications/financial-reports/.

Kontakti: 
Andrea Kaufmann, Njësia për Komunikim e Grupit, ProCredit Holding, Tel.: +49 69 951 437 138, 
E-mail: Andrea.Kaufmann@procredit-group.com 


Kontakt: 
Andrea Kaufmann, Zyra e Komunikimit të Grupit, ProCredit Holding, Tel.: +49 69 951 437 138, 
E-mail: Andrea.Kaufmann@procredit-group.com 
Rreth ProCredit Holding AG & Co. KGaA
ProCredit Holding AG & Co. KGaA, me qendër në Frankfurt am Main, Gjermani, është kompania mëmë e orientuar nga zhvillimi e grupit ProCredit, që përbëhet nga banka komerciale për ndërmarrje të vogla dhe të mesme (NMV). Përveç fokusit të saj operativ në Evropën Juglindore dhe Evropën Lindore, grupi ProCredit është aktiv edhe në Amerikën e Jugut dhe Gjermani. Aksionet e kompanisë tregtohen në segmentin Prime Standard të Bursës së Frankfurtit. Aksionerët institucionalë të ProCredit Holding AG & Co. KGaA përfshijnë investitorët strategjikë Zeitinger Invest dhe ProCredit Staff Invest (mjeti investues për stafin e ProCredit-it), Dutch DOEN Participaties BV, KfW Development Bank dhe IFC (pjesë e Grupit të Bankës Botërore). Si kompani e mbikëqyrur e grupit në përputhje me Ligjin Gjerman të Bankimit, ProCredit Holding AG & Co. KGaA mbikëqyret në nivel të konsoliduar nga Autoriteti Federal Gjerman për Mbikëqyrje Financiare (Bundesanstalt für Finanzdienstleistungsaufsicht, BaFin) dhe Bundesbank e Gjermanisë. Për më shumë informacion, vizitoni: www.procredit-holding.com.
Deklarata e parashikimeve 
Kjo komunikatë për media përmban deklarata që kanë të bëjnë me zhvillimin e biznesit dhe performancës tonë financiare në të ardhmen, si dhe deklarata që kanë të bëjnë me veprime apo zhvillime në të ardhmen që ndikojnë tek ProCredit Holding dhe që mund të përbëjnë deklaratë të parashikimeve. Këto deklarata mbështeten mbi menaxhimin e pritshmërive aktuale dhe supozimeve specifike nga ProCredit Holding, shumë prej të cilave janë përtej kontrollit të ProCredit Holding. Prandaj, ato i nënshtrohen një tërësie të risqeve, pasigurive dhe faktorëve. Nëse një apo më shumë nga këto risqe apo pasiguri ndodh të materializohet apo nëse ndonjë pritshmëri bazë apo supozim del të jetë i pasaktë, atëherë rezultatet, performanca dhe arritjet aktuale (si negative, ashtu edhe pozitive) të ProCredit Holding mund të dallojnë disi nga ato që janë shprehur apo nënkuptuar në deklaratën e parashikimeve. ProCredit Holding nuk merr përsipër asnjë detyrim për t’i përditësuar këto deklarata të parashikimeve apo t’i përmirësojë ato në rast të shmangieve nga zhvillimet e pritshme.